Prof. Dr Arben Malaj: Sfidat kryesore të ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2022

“Mes vështirësive qëndrojnë mundësitë”  do të këshillonte Winston Churchill. Ky leksion lidershipi vlen më shumë se kurrë  në përballjen e vështirë me pandemitë, krizat sociale e fatkeqësitë natyrore. Humbja e shpresës, braktisja e vendit, papunësia, varfëria dhe rritja e pabarazisë imponojnë mundësi të reja. Sfidat kryesore të ekonomisë sonë gjatë vitit 2022 mund të jenë:

Pandemitë – variantet e reja si Delta dhe Omicron rrezikojnë të dëmtojnë disa nga arritjet në luftën kundër Covid-19. Kjo qartësohet në rikthimin e masave kufizuese këtë fundviti. Mësimet e marra nga Covid-19, qeveria duhet t’i përdori me shpejtësi dhe efikasitet gjatë vitit 2022. Paketat anti-krizë të përmirësuara duhet të përcaktojnë qartë radhën dhe madhësinë e ndërhyrjeve  lehtësuese dhe shpëtuese të njerëzve, bizneseve, ekonomisë dhe financave.

Inflacioni i lartë,  2021 po i lë një barrë të rëndë vitit 2022. Inflacioni i lartë është një tatim indirect, që varfëron akoma më shumë  shtresat e varfëra të popullsisë, pasi ul vlerën reale të  pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale. Ekonomia globale po përballet me një situatë ekonomike ku do të sundojë jo për pak kohë inflacioni i lartë dhe rritja ekonomike anemike. Sfida është si të amortizojmë efektet varfëruese të inflacionit të lartë.

Ndërprerja e zinxhirit global të furnizimeve të ushqimeve, energjisë, lëndëve të para janë goditjet e jashtme asimetrike potenciale edhe për vitin 2022. Për të amortizuar efektet afatshkurtra të rritjeve të disa shifrore të çmimeve, vendi ynë duhet të bëhet pjesë e strategjive dhe burimeve të BE-së për  rritje të rezervave të sigurimit. Përshpejtimi i diversifikimit të burimeve të energjisë, rritja e eficencës së përdorimit të saj, reduktimi i vartësisë së lartë të  importeve ushqimore dhe disa lëndëve të para – duhet konsideruar si mundësi e imponuar nga kriza aktuale. Ristrukturimi ekonomisë drejt ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes janë mundësi reale akoma të pashfrytëzuara.

Politikat monetare  lehtësuese të Bankave Qendrore gjatë vitit 2022 do të përballen me presione në rritje për t’u reduktuar. Në kushtet kur vazhdon hendeku i madh midis kapaciteteve potenciale dhe reale të prodhimit, nuk do të jetë e lehtë as për Bankën e Shqipërisë. Në funksion të  objektivit të inflacionit, pa dëmtuar ekonominë dhe në kushtet e deficiteve dhe borxheve të rritura, BQ/BSH e kanë jo të lehte të tërhiqen shpejt. Kjo sepse rritja e kostos së parasë ka risqe potenciale të dëmtojë arritjet e deri tanishme, sidomos në ekonomitë e dobëta të BE-së, ku rimëkëmbja e qëndrueshme kërkon akoma “ndihmë’. Pas krizës financiare të 2008 dhe sidomos në përballjen me kostot e Covid-19, qeveritë e “mirëkuptuara” aplikuan politika lehtësuese dhe paketa antikrizë, që i rritën ndjeshëm deficitet dhe borxhet. Pasojat e deficiteve dhe borxheve të larta u “ reduktuan” nga politikat lehtësuese të BQ nëpërmjet uljes së kostos së parasë deri në terma reale negative, si dhe nëpërmjet blerjeve masive të borxheve të kompanive shtetërore. Viti 2022 mund të përballet më tërheqjen graduale nga politikat lehtësuese dhe nga programet e blerjeve masive të instrumentave të borxheve. Sa i shpejtë dhe sa i thellë do të jetë ky ndryshim gjatë viti 2022, kjo mbetet për t’u parë. Qeveria shqiptare duhet të ketë opsione alternative në mënyrë që të mos pengojë rritjen ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit të financave publike në përballjen e vështirë me rritjen e kostos së parasë në tregjet globale.

Zhvillimet politike. Gjatë vitit 2022, edhe ekonomia jonë mund të përballet me kosto të panjohuara të zhvillimeve politike si në nivel global, rajonal dhe kombëtar. Në vendin tonë ka një agresivitet të rritur brenda PD-së, por edhe tensionim politik midis pozitës dhe opozitës, i ushqyer dhe nga skandali i “shitjes” së të dhënave personale. Mosbesimi tek shteti është rritur!  Kjo do të nxisë braktisjen e vendit, duke e përkeqësuar akoma më shumë cilësinë e kapitalit human dhe social. Sipas studiuesit Ruchir Sharma autor i librit : “The 10 rules of suçessful nations” faktorët dhe trendet demografike influencojnë më shumë se 50% të zhvillimit ose mos zhvillimit të një vendi.

Integrimi evropian – është një sfidë që mban peng mundësi të mëdha zhvillimi, sidomos kur cilësia dhe ritmi i reformave strukturore nuk është një formalitet i imponuar. Meqënëse integrimi është bërë “kali i betejës politike” brenda vendit, midis disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe mes tyre dhe BE-së, vonesat e tejzgjatura prodhojnë efekte penguese. Viti 2022 dhe presidenca franceze e Këshillit Evropian  krijojnë shpresa reale për zhbllokimin, jo vetëm të filllimit të hapjes së negociatave.

Politika fiskale – Defiçiti, borxhet dhe tendenca e rritjes së kostos së tyre mund të jenë sfida jo të lehta gjatë vitit 2022. Nivelet e borxhit publik mbeten të paqarta dhe të pasakta. Mos rregjistrimi në kohë i punimeve të kryera, rritja e stokut të detyrimeve të papaguara nga shteti; kompanitë publike dhe bashkitë, rritja e borxheve ndaj gjobave ndërkombëtare, por dhe rritja e borxhit nga garancitë shtetërore mund të nxisin nevojën e aplikimit të paketave antikrizë gjatë vitit 2022. Stabiliteti i financave publike mund të kërcënohet nga risku i rritjes së kostos së parasë dhe peshës në rritje të borxhit në monedhë të huaj i marrë në tregjet e kapitaleve dhe me norma interesi luhatëse.

-Partneritetet publike private – preferenciale dhe oligarkike gjatë vitit 2022 duhen reduktuar dhe rishikuar. Ato përzgjidhen pa studime të mirëfillta për prioritarizimin dhe efikasitetin e tyre, bëhen pa garë. Numri i kompanive përfituese po përqëndrohet gjithnjë e më shumë. Nga bashkëjetesa midis modelit oligarkik në politikë, me modelin dominues oligarkik në ekonomi, vendi rrezikohet të përballet me pasojat e tyre. Që në fillimet e vitit 2022 mund të përfitohen disa qindra miliona euro nga ulja e kostos së korrupsionit dhe kapjes së shtetit në keqpërdorimin e  fondeve publike dhe sidomos të PPP-ve.

Efikasiteti i reformës në gjyqësor kushtëzon edhe zhvillimet ekonomike në vitin 2022. Një efekt jo pozitiv mund të jetë ngadalësimi i përdorimit të fondeve publike nga frika e veprimit të SPAK – vërtetuar kjo edhe në vende të tjera. Efekti pozitiv mund të jetë shumë më i madh, sepse shpresa se po fillon funksionimi i shtetit ligjor krijon premisa për më shumë investime private. Reforma integrale në gjyqësor mund të çlirojë potenciale të mëdha zhvillimi nga mijëra dosjet  e mykura nga pritja në sistemin tonë gjyqësor. Gjetja e një zgjidhje të jashtëzakohshme për situatën e jashtëzakonshme të “maleve me dosje” duke filluar nga Gjykatat Administrative – mund të çlirojë energji dhe investime kaq shumë të domosdoshme në periudhat e krizave.

Zgjedhjet lokale dhe çdo zgjidhje politike, që redukton agresivitetin partiak, ndërpartiak dhe mes institucioneve kushtetuese janë burime potenciale zhvillimi për vitin 2022. Zhvillimi i zgjedhjeve bashkiake në Durrës, Lushnje, Shkodër, Vorë, Rrogozhinë dhe Dibër mund të krijojë premisa pozitive, pasi janë zona me potenciale të larta zhvillimi. Rikthimi i normalitetit në funksionimin e bashkive, qeverisë dhe institucioneve kushtetuese bëhet akoma më i domosdoshëm sidomos pas rënies së besimit tek politika pas skandaleve të patronazhistëve apo “rrjedhjes spontane” në publik të çdo të dhëne personale.

-Eksperienca e individëve, familjeve, bizneseve, universiteteve  dhe administratës lokale dhe qëndrore në përballjen e vështirë me pasojat e tërmetit dhe pandemisë – duhet të jenë armët e forta të luftës, jo të lehtë kundër kostove të dhimbshme njerëzore me të cilat mund të përballemi edhe gjatë vitit 2022.

https://telegraf.al/politike/prof-dr-arben-malaj-sfidat-kryesore-te-ekonomise-shqiptare-gjate-2022-shit/?fbclid=IwAR1op48xvTrGmbjYf0nM5LNpJ4OGGuj4zohz3C7Qg0iCT9tATE8VzaCxHPo

“Ballkani i hapur” nuk duhet të mbetet i mbyllur.

Analiza e Presidentit te Ippm z.Arben Malaj:
“Ballkani i hapur” nuk duhet të mbetet i mbyllur.
Argumentat rreth këtij debati:
1. Serbia duhet të ndalojë keqpërdorimin e miliardave për armët e saj gjeopolitike kundër pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen e separatistëve radikalë në veriun e saj;
2.Serbia duhet të ndalojë çdo investim direkt ose indirekt të saj ose së bashku me “partnerët e saj strategjikë” kundër paqes në Bosnje dhe Hercegovinë dhe destabilizimin e mbajtjen peng të vendeve të Ballkanit Perëndimore;
3. Serbia duhet të ndalojë investimin per përplasjet nacionaliste në Mal te Zi, dhe te shërbej për uljen e tensioneve dhe rritjen e bashkëpunimit;
4. Vuçic duhet të heqë dorë nga deklarata e tij kërcënuese kundër pavarësisë së Kosovës. Asnje nacionalist serb në qeverinë apo opozitën e saj nuk mund ta kërcenojnë dot më Kosovën me forcën e armëve;
5. Kosova duhet të ulet në tryezën e Ballkanit të hapur si shtet i pavarur dhe jo si “krahinë autonome” e Serbisë.
6. Kosova ka të drejtë morale të kërkojë që liderët serbë të kerkojne falje publike për krimet e tyre në Kosovë.
7. Kryeministri Kurti nuk mund ta kushtëzojë fillimin e bashkëpunimit si dy shtete të pavarura me kërkesën për falje publike.
8. Historia e vendeve të tjera, konfliktet dhe luftërat na mësojne se takimet dy ose shumë paleshe dhe negociatat kanë filluar shumë më herët se kur ka ardhur falja publike e lidereve të vendeve përgjegjëse për krimet e tyre.
9. Lidershipi politik në Shqipëri duhet ta kushtëzojë avancimin e kësaj nisme me uljen në tryezë të liderëve të vendeve që kanë e paguar shtrenjtë gjenocidin serb.
10. Pjesëmarrja e plotë dhe e përkushtuar drejt paqes dhe të ardhmes së Ballkanit Perëndimor e liderëve të Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës me mbeshtetje edhe te Republikave te ish-Jugosllavise sot anetare të BE – është e detyrueshme që dyert e “Ballkanit të hapur” në konferenca a video konferenca të hapin derën e mbyllur të bashkëpunimit real.
11. Udhëheqësit shqiptarë nuk duhet të marrin asnjëherë statusin e kujdestarit, të babait apo të vëllait të madh në nismat apo tavolinat ndërkombëtare jo vetëm për Kosovën që është shtet i pavarur por as edhe edhe për shqiptarët e rajonit.
12.Mbështetje për respektimin e te drejtave themelore njerëzore për cdo naconaliste është pikënisje e cdo bashkepunimi.
13. Mbështetja për integrimin euro-atlantik të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimore duhet të jetë vizioni dhe angazhimi prioritar i politikës se jashtme të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
14. Shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, pavarësisht nga përfaqësimet e tyre politike në shumicë apo në opozitë qeverisese apo morale – duhet të angazhohen për integrimin euro-atlantik, garantimin e paqes dhe rritjen e mireqenies.
15. Te gjitha vendet e rajonit tone duhet të rrisin dhe zgjerojnë partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin efektiv me SHBA, BE dhe çdo vend mik i sinqertë që mbështet paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm, si dy shtyllat e rëndësishme të largimit të Ballkanit nga konfliktet e pashuara plotesisht.
16. Keto vende duhet te perkushtohen sebashku per avancimin drejt një të ardhmeje evropiane me frymën e inspirimit dhe në kontekstin e përditshëm për të krijuar, mbeshtetur dhe garantuar paqen e qendrueshme dhe mireqenien ne rritje dhe të ardhmen në vendet tona.
https://www.facebook.com/arben.malaj.35

Analiza profesionale e Presidentit të IPPM Prof.Arben Malaj, në lidhje me kthimin e Buxhetit të vitit 2022, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Krizat më të rënda që pengojnë mirëqeverisjen e vendit janë krizat e mos besimit dhe të mos respektimit institucional të institucioneve kushtetuese. Rikthimi i buxhetit të 2022 nga presidenti mund të shërbejë për sqarimin dhe përmirësimin e respektimit të kompetencave. Disa momente që mund të ndihmojnë debatin publik me fokus argumentat profesionale:
1. Nuk ka vend për panik apo “karburant” për përplasjet publike mes Presidentit dhe mazhorancës.
2. Kthimi i buxhetit të vitit 2022, nuk pengon fillimin e zbatimit të tij nga dita e parë e vitit 2022.
3.Askush nuk rrezikon të mbetet pa rroga, pensione apo pagesa të sigurimeve shoqërore. ( Nenet përkatëse janë bashkangjitur postimit)
3. A ka të drejtë presidenti të kthejë buxhetin?
Po, dhe kjo është sqaruar në vendimin e KGJK-së, kur është debatuar për autoritetin ligjor të presidentit në emërimet e anëtarëve të qeverisë.
4. A arsyetohet rikthimi i ligjit të buxhetit në bazë të argumenteve të Presidentit? – Vlerësoj se kthimi nuk ka bazë të plotë ligjore – pasi shumë nga argumentet e Presidentit janë të vlefshme për diskutime publike të pikëpamjeve përkatëse për prioritetin buxhetor, por nuk plotësojnë aspektin kushtetues të kthimit të tij.
5. Presidenti ka autoritetin të mos dekretojë buxhetet faktike kur ato nuk janë në përputhje me certifikimin e shifrave të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
6. Presidenti mund të ushtroj autoritetin e tij më qartë dhe më plotë në rastet e autorizimit për të marrë borxh, sepse borxhi i marrë garantohet nga shtetet jo nga qeveritë.
7.Borxhet e rritura dhe të keqpërdoruara mbeten në kurriz të brezave dhe jo në kurriz të qeveritarëve.
8. Shumica kanë detyrim ligjor të sigurojnë respektimin e afateve, fazave dhe procedurave për hartimin, zbatimin dhe përdorimin e buxheteve vjetore – si pjesë e rishikuar e buxheteve afatmesme.
8. Presidenti mund të ndihmoj debatin edhe publik – bazuar në një opinion të dhënë nga ekspertë dhe profesorë të financave publike – në bashkëpunim profesional me ekipin e tij të këshilltarëve të ekonomisë dhe financave.
9. Qeveria ka detyrimin ligjor të përgjigjet në kohë për çdo informacion shtesë të kërkuar nga presidenti, informacioni duhet të jetë i qartë dhe sa më i saktë.
10. Maxhoranca dhe Presidenti dhe anasjelltas Presidenti dhe mazhoranca duhet të përdorin mirë çdo mundësi dhe përgjegjësi ligjore për një zgjidhje të vetme ligjore në debatet per buxhetit, përmirësimin e procesit dhe përgjegjësinë për menaxhimin dhe zbatimin e tij, si dhe për madhësinë dhe efikasitetin e borxheve te reja.
Në thelb, “kriza e mos-dekretimit të buxheteve” nga presidenti ka brenda vetes një marrëdhënie të tensionuar publike me akuza dhe kundër akuza të ndërsjella, mes mazhorancës dhe presidentit të perzgjedhur prej saj.
https://www.facebook.com/arben.malaj.35
Neni 34
Hyrja në fuqi dhe zbatimi i ligjit të buxhetit vjetor
Në rast se Kuvendi e miraton ligjin e buxhetit vjetor brenda vitit buxhetor, por ligji
nuk mund të hyjë në fuqi në datën 1 janar, ose koha e mbetur për përfundimin e
procedurave të fillimit të zbatimit të buxhetit nuk është e mjaftueshme, Ministri i
Financave nxjerr një udhëzim të posaçëm, që rregullon procesin buxhetor deri në hyrjen
në fuqi të ligjit të buxhetit vjetor dhe të përfundimit të procedurave të zbatimit të tij.
Udhëzimi i posaçëm siguron vazhdimin e ofrimit të mallrave dhe shërbimeve,
përfshirë zbatimin e projekteve të investimeve, të filluara në vitin buxhetor paraardhës,
që parashikohet të vazhdojnë edhe në atë vit buxhetor.
Neni 35
Buxheti i i përkohshëm
Në rast se Kuvendi nuk miraton buxhetin e propozuar deri në fillim të vitit
buxhetor, Këshilli i Ministrave, me vendim, para ditës së parë të fillimit të vitit
buxhetor, autorizon zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë, që fillon nga
dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij.
Shpenzimet buxhetore në buxhetin e përkohshëm, për çdo muaj dhe për çdo
program, të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme, nuk mund të tejkalojnë 1/12 e
shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës.
Nëse të ardhurat e siguruara me ligj janë të pamjaftueshme për të mbuluar
shpenzimet e parashikuara në buxhetin e përkohshëm, Ministri i Financave merr hua,
çdo muaj, deri në 1/12 e huasë së përgjithshme, të përdorur për financimin e deficitit
buxhetor në vitin buxhetor paraardhës.
Fondet e miratuara në buxhetin e përkohshëm sigurojnë:
a) ushtrimin, në përputhje me ligjin, të funksioneve dhe përgjegjësive të njësive të
qeverisjes së përgjithshme;
b) vazhdimësinë e ofrimit të të mirave dhe shërbimeve, përfshirë zbatimin e
projekteve të investimeve, të filluara në Buxhetin e Shtetit të vitit buxhetor paraardhës
dhe që parashikohet të vazhdojnë në vitin buxhetor.
Neni 36
Buxheti pas periudhës së buxhetit të përkohshëm
Kryeministri, gjatë periudhës së buxhetit të përkohshëm, paraqet projektbuxhetin
në Kuvend, me procedurë të përshpejtuar, për miratimin e tij deri në ditën e fundit të
periudhës së buxhetit të përkohshëm.
Në rast të mosmiratimit të projektbuxhetit brenda periudhës së buxhetit të
përkohshëm, Këshilli i Ministrave, me vendim, autorizon kryerjen e shpenzimeve
buxhetore për çdo program, të çdo njësie të qeverisjes së përgjithshme, në masën që nuk
tejkalon 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin
buxhetor paraardhës dhe për çdo muaj deri në miratim të projektbuxhetit nga Kuvendi.
Paragrafi i dytë, i tretë dhe i katërt të nenit 35 të këtij ligji mund të zbatohen edhe
në periudhën pas buxhetit të përkohshëm.