Workshop “Buxhetimi-Parimet, Objektivat dhe Fazat Kryesore”

NDI-ja në bashkëpunim me IPPM-në organizuan për studentët praktikantë të programit të internshipit pranë Kuvendit të Shqipërisë dy ditë trajnimi intensiv, përgjatë datave 11 dhe 12 dhjetor 2018. Ky trajnim u drejtua nga Prof. Dr Arben Malaj, Presidenti i Nderit të IPPM-së mbi temën “Buxhetimi – parimet, objektivat dhe fazat kryesore”.

Në ditën e parë studentët praktikantë u njohën me buxhetin si një instrument i rëndësishëm i politikave ekonomike së bashku me objektivat, fazat nëpër të cilin kalon procesi i buxhetimit, kuadri ligjor dhe institucionet që përgatisin buxhetin.

Një vëmendje të veçantë Prof. Dr. Malaj u dha strategjive të ndryshme mbi të cilat mbështetet buxheti, si ajo e SDG-së 2030 (Sustainable Development Goals), Strategjitë e Zhvillimit të Integruar, Strategjitë Sektoriale dhe Strategjia e Menaxhimit të Financave Publike.

Gjithashtu, gjatë trajnimit studentët u ndalën dhe te buxhetimi me pjesëmarrje, i cili konsiston në pjesëmarrjen e grupeve të interesit në buxhet. Në këtë linjë u diskutua mbi Buxhetin e Qytetarit 2017. Në pjesën përmbyllëse të ditës së parë u diskutua mbi kalendarin e buxhetit afatmesëm dhe buxhetin vjetor.

Dita e dytë e trajnimit nisi me një pjesëmarrje interakive mbi çështjet e diskutuara ditën e parë. Trajnimi vijoi me ndarjen në grupe të studentëve për të paraqitur objektivat  e buxhetit për tre grupe interesi si në vijim: Buxhetimi i Përgjithshëm Gjinor, Buxheti për Sektorin e Shëndetësisë, Buxheti për Sektorin e Arsimit, Buxheti për Mbrojtjen e Mjedisit, pjesë gjatë së cilës u inkurajuan pyetjet dhe diskutimet.

Në vijim u kryen prezantimet e punëve përkatëse në grup për buxhetin në lidhje me arsimin, shëndetësinë, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e mjedisit, ku studentë treguan përgatitje për të rezultuar të suksesshëm.

Në fund të trajnimit dy ditor fokusi u ndal mbi konkluzionet e arritura dhe opinionet e studentëve pjesëmarrës.

IPPM-ja është e gatshme dhe e hapur të mbështesë studentët mbi pyetje e diskutime për të cilat kërkohet një eksperiencë konkrete dhe mbi çdo lehtësi tjetër në funksion të tyre.

Presidenti i Nderit dhe Drejtori Ekzekutiv i IPPM-së mbi migracionin

Presidenti i Nderit dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen sjellin një artikull të përbashkët mbi migracionin në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri.

Artikulli përqëndrohet te shkaqet, pasojat dhe sfidat të cilat shoqërojnë migrimin në këto vende.

Në artikull renditen sfidat që vijnë nëse nuk gjendet një rrugë për reduktimin e migracionit. Autorët theksojnë se në afatshkurtër përfitimi i takon vendeve pritëse për shkak të rritjes së ofertës për punë të kualifikuar në to, ndërsa kostot vendeve emigruese. Ndërsa në afatgjatë, në rastin kur këta individë rikthehen në vendet e origjinës, përfitimet i takojnë pikërisht këtyre vendeve për shkak të avantazheve që burojnë nga rritja e kapitalit human.

Autorët përshkruajnë shkaqet e emigrimit, duke u ndalur te ato ekonomike, si pabarazia në të ardhura dhe paga minimale relativisht e ulët me vendet ku emigrantët nga vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të shkojnë.

Autorët theksojnë se demokratizimi i dijes dhe globalizimi mund të shfrytëzohet nga individët për të punuar jashtë vendit pa qenë nevoja të emigrojnë fizikisht.

Në artikull renditen arsyet kryesore pse individët kthehen në vendet e tyre të origjinës duke theksuar se më e rëndësishme për Shqipërinë është kthimi i ekonomisë sonë në një ekonomi dinamike.

Për më shumë informacion, ju lutemi të klikoni në linkun e mëposhtëm:

http://telegraf.al/sociale/migracioni-nga-problem-ne-avantazh/