Presidenti i Nderit të IPPM-së, Prof. Dr. Arben Malaj, Përse penalitetet nuk e luftojnë dot informalitetin?

 

“Taksat janë ato që paguajmë për shoqërinë e qytetëruar”

Oliver Wendell Holmes Jr ,1841

Gjykatës i Gjykatës Supreme USA.

 

“Taksat janë ato që paguajmë për shoqërinë e qytetëruar”, ky vizion gjendet i shkruar në hyrje të ndërtesës së Shërbimeve të Ardhurave të Brendshme (IRS) të SHBA. Ndërsa Rama dhe pas dështimit të parë, për herë të dytë vuri në thelb të fushatës kundër informalitetit, penalitetet duke theksuar se, “Dy gjëra janë të sigurta në jetë, taksat dhe vdekja”. Ka edhe thënie makabre për taksat si ajo e Mark Twin, se midis një balsamuesi dhe një taksambledhësi ka një dallim të madh, taksambledhësi ta merr edhe lëkurën. Këshilla për mbledhjen taksave përmblidhet në atë si ti marrësh sa më shumë pendë/ të ardhura nga rrjepja e një pate, pa ja shkulur lëkurën. Kjo sepse herën tjetër do të gjejnë më pak pendë/më pak të ardhura. Çdo strategji e re kundër informalitetit kërkon studime të realitetit shqiptare për faktorët shoqërorë por edhe politik që e ushqejnë informalitetin. Paqëndrueshmëria politike, polarizimi shoqëror dhe modeli i autoriteteve autokratike janë identifikuar si tre faktorët kryesorë që e rritin informalitetin. Shqipëria, jo vetëm tani i ka të tre këta faktorë, por sipas indekseve dhe raporteve ndërkombëtare janë në përkeqësim. Mos mbajtja parasysh në strategjitë kombëtare kundër informalitetit e rasteve të suksesshme dhe të dështuara, i jep fokusit mediatik të qeverisë, statusin e një aksioni dhe jo të një reforme të suksesshme.

Nisja spontane e fushatës mediatike, mediatizimi i tejskajshëm dhe fokusimi vetëm tek penalitetet janë tre prova të qarta të mungesës së vizionit dhe mungesës së një strategjie kombëtare të suksesshme kundër informalitetit. Fokusi vetëm apo kryesisht tek penalitetet nuk rekomandohet në asnjë studim dhe eksperiencë të suksesshme ndërkombëtare. E dyta – mos suksesi i penaliteteve u provua në aksionin e parë mediatik kundër informalitetit në 2016. Këtë dështim e paralajmëruan disa ekspertë të Institutit për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjes. IPPM jo vetëm e paralajmëroi dështimin por i kundërshtoi deri në Gjykatën Kushtetuese gjobat stratosferike, të cilat i jepnin qeverisë autoritetet antikushtetuese sepse nëpërmjet gjobave të larta e korruptive qeveria përcakton se kush biznes mund të zhvillohet dhe kush edhe nëpërmjet penaliteteve duhet të nxirret nga tregjet fitimprurëse. Gjykata Kushtetuese anuloi penalitetet abuzive. Edhe zëvendësimi i kasave te biznesit sa here del ndonjë software i ri apo rritet shpejtësia nga G3 në G5, është e gabuar dhe me kosto për bizneset. N.q.s. qeveria mendon softueri i ri do të sjell rritje të ardhurave në buxhet me 10 deri ne 17%, shpresohet te arkëtohen nga 30 deri ne 53 miliardë lekë. Në zbatim të katër parimeve Smith për administrimin e taksave, përmirësimet e mbledhjes së taksave duhet të jenë me kosto shtesë zero për biznesin. Ky duhet të jetë parimi bazë i çdo strategjie të përmirësimit të mbledhjes së taksave. Por me “kulturën” e ndryshimit disa herë brenda të njëjtit vit fiskal të taksave dhe të administrimit të tyre, qeveritë po i rritin direkt dhe indirekt kostot shtesë për biznesin.

Janë tre parakushte për suksesin e strategjive kundër informalitetit:

Së pari, përmirësimi i qeverisjes, sepse kjo çon përfitime direkt e të prekshme tek taksapaguesit, kjo rrit vullnetshmërinë për pagimin e taksave. Ndërsa stabiliteti i ulët politik, cilësia e ulët e institucioneve rregullatorë dhe niveli i përhapur i korrupsionit u ushqejnë informalitetin.

Së dyti, kredibiliteti institucional. Kur ata ndjejnë përfitime reale në jetën e përditshme dhe kur institucionet publike kanë kredibilitet të lartë publik, taksat përfaqësojnë pagesat tona për të jetuar në shoqëritë e civilizuara.

Së treti, morali i taksave. Tek morali i taksave analizohet përse njerëzit i paguajnë taksat, jo pse i shmangen.

Pagimi i taksave duhet analizuar me teoritë moderne të sjelljes së individëve, pasi supozohet se kur pagimi i taksave lehtësohet, tatimpaguesit do të veprojnë në mirëbesim. Në realitetin shqiptar duket se edhe fushata e dytë kundër informalitetit i ngjan një aksioni spontan dhe është i bazuar kryesisht tek penalitetet. Reformat e suksesshme të luftës kundër informalitetit duhet te bazohem tek masat lehtësuese, jo kosto shtesë për bizneset. “Vetë pagimi i taksave për qytetërimin tonë” kërkon që funksionet dhe shërbimet publike të jenë sa më mirë të ofruara kudo dhe për këdo në vendin tonë. Nëse. taksapaguesit shikojnë se çerdhet, kopshtet, spitalet, shkollat, ambienti, infrastruktura dhe kohezioni social përmirësohen ndjeshëm; nëse rritet e garantohet siguria publike dhe siguria rrugore; nëse taksat përdoren me eficiencë maksimale, nëse korrupsioni ulet, nëse kapja e shtetit dënohet e minimizohet, nëse. llogaridhënia publike është reale; nëse transparenca është maksimale, qytetarët ndërgjegjësohen për eficiencën e përdorimit të parave te tyre dhe, si rezultante vetë pagimi i taksave rritet, informaliteti ulet, qeveria ka në dispozicion burimet e nevojshme financiare. Por nëse qytetarët dhe taksapaguesit kanë shqetësime të përditshme reale lidhur me keq qeverisjen e vendit, vetë-pagimi i taksave nuk do të rritet në mënyrë të qëndrueshme deri sa te ndjehet përmirësimi i mirë-qeverisjes së vendit. Në kushtet e shqetësimeve reale për kapjen e shtetit për korrupsionin e përhapur ndjeshëm, kur cilësia e funksioneve dhe shërbimeve publike është përkeqësuar ose përmirësimi është apatik, nëse çdo kryetar bashkie i Tiranës e prish dhe rindërton “Sheshin Skënderbeu” ku shpërdorohen miliarda lekë të taksapaguesve të Tiranës, çdo objektiv për uljen e informalitetit do të rezultojë me disa arritje simbolike dhe të pa qëndrueshme siç ndodhi herën e parë.

Në kushtet kur perceptimi publik, jo vetëm në Shqipëri është se qeveritë punojnë për të fortët dhe për të pasurit, qeveria duhet ta fillojë aksionin kundër informalitetit me luftën kundër ekonomisë të zezë, ekonomisë kriminale, e cila vret përditë të ardhmen e çdo shqiptari. Nëse lufta kundër kapjes së shtetit do të ketë arritje konkrete, nëse do të reduktohet paqëndrueshmëria politike, nëse kredibiliteti i çdo institucioni kushtetues do te rritet, nëse jeta e përditshme e shqiptarëve do të jetë realisht më e mirë, atëherë informaliteti do të ulet, vetë-pagimi i taksave do të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme.

(Pikëpamjet në këtë postim- nuk shprehin qëndrime të BSH-së).

Burimi: Telegrafi.al

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*