Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, në bashkëpunim me Kolegjin Universitar “Luarasi” organizoi një takim të hapur me të ftuar Drejtoreshën e Burimeve Njerëzore pranë Organizatës Botërore të Tregtisë, Znj. Hye-Seung Lee, ditën e hënë, më datë 2 Tetor 2017.
Që nga themelimi i saj më 1 Janar 1995, Organizata Botërore e Tregtisë ka në anëtarësi të saj 164 shtete, ndër të cilat edhe Shqipërinë. Si e tillë, Shqipëria ka të drejtën të jetë e përfaqësuar në këtë organizatë.
Znj. Lee theksoi se ndër 628 persona, pjesë e stafit të sekretariatit nga mbarë vendet anëtarë, OBT-ja nuk numëron asnjë shqiptar. Ky ka qenë edhe shkaku i këtij takimi të hapur.
Drejtoresha e Burimeve Njerëzore të OBT-së, në kuadër të diversifikimit të stafit përbërës të kësaj organizate, prezantoi edhe mundësitë që i ofrohen çdo shqiptari për t’iu bashkuar Organizatës Botërore të Tregtisë, si dhe kushtet që duhet të plotësohen për çdo pozicion.
Znj. Lee foli në veçanti për mënyrën e aplikimit dhe për procesin e rekrutimit, duke theksuar edhe njëherë avantazhin që kanë shqiptarët për t’u bërë pjesë e OBT-së në kuadër të rritjes së diversitetit të stafit përbërës.
