Debate: IPPM President, Arben Malaj vs Deputy Minister of Integration, Gentian Elezi

Integrimi dhe përshtatja me rrethanat e reja në Bashkimin Europian

Gentian Elezi*

Integrimi europian i vendit, pengesat dhe reformat e nevojshme, beteja jo thjesht për përafrim të legjislacionit por edhe për ndërtimin e një kulture demokracie. Elezi shkruan se sfida të tilla kërkojnë një bashkëpunim dhe konsensus të gjerë, jo vetëm politik por social.

Integrimi europian vazhdon të jetë strategjia kryesore e zhvillimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Pas marrjes së statusit të vendit kandidat në vitin 2014, përpjekjet e institucioneve shqiptare kanë qenë të fokusuara te përmbushja e kushteve për fazën e mëpasshme: hapja e bisedimeve për anëtarësim. Reforma në administratën publike, reforma e sistemit të drejtësisë, lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, janë fushat ku duhet punuar për të ecur përpara drejt bisedimeve. Ndërkohë që në shumicën prej këtyre fushave, Komisioni Europian ka vlerësuar ecuri të kënaqshme në raportin e fundit mbi vendin, reforma në sistemin e drejtësisë ka qenë e bllokuar për pothuaj dy vite, duke përbërë kushtin kryesor të këtij procesi. Po çfarë pritet të ndodhë me procesin e integrimit pas miratimit të reformës në drejtësi?

Krahas kushteve të sipërpërmendura, ka vazhduar edhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë europian, çka është edhe angazhimi kryesor drejt anëtarësimit deri në fillimin e bisedimeve. I gjithë ky proces është prekur nga krizat politike të brendshme dhe nga niveli i kapaciteteve të administratës dhe institucioneve për të zbatuar angazhimet e ndërmarra. Këto kanë bërë që hapi i përparimit të mos jetë i kënaqshëm dhe Shqipëria të kalohet në këtë proces nga Serbia dhe Mali i Zi, vende që e filluan më vonë zbatimin e MSA-së. Për ta vështirësuar me tej këtë rrugëtim, ka ndikuar jo pak edhe gjendja politike dhe ekonomike në vendet anëtare të Bashkimit Europian. Që prej problemeve me zgjerimin drejt Bullgarisë dhe Rumanisë dhe prej krizës së mëpasshme ekonomike dhe financiare, Bashkimi Europian ka hyrë në një periudhë ku sundon ndërqeveritarizmi, pra roli politik dhe interesat e shteteve anëtare përkundrejt institucioneve qendrore mbikombëtare europiane, si Komisioni dhe Parlamenti. Po si e ndikon ky ndryshim ekuilibrash brenda BE-së, procesin e zgjerimit në përgjithësi dhe integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në veçanti?

Mënyra se si zhvillimet brenda Bashkimit Europian mund të ndikojnë procesin e zgjerimit lidhet me rolin e vendeve anëtare në këtë proces dhe me ndryshimin e marrëdhënieve midis tyre dhe Komisionit Europian. Komisioni është institucioni i mandatuar për zbatimin e prioriteteve dhe axhendës së projektit europian. Në çështjet e zgjerimit, ky institucion analizon dhe vlerëson ecurinë e vendeve që kërkojnë të anëtarësohen duke hartuar edhe rekomandime për hapat e mëpasshëm. Këto rekomandime përbëjnë edhe bazën e marrjes së vendimeve nga ana e vendeve anëtare.

Historikisht, në procesin e zgjerimit, rekomandimet e Komisionit kanë përcaktuar edhe përfundimin e vendimit, me përjashtim të pak rasteve ku Komisioni është treguar më konservator dhe vendet anëtare kanë marrë vendim politik duke e çuar përpara procesin e zgjerimit (rasti i Greqisë). Po të shikojmë rastin e Shqipërisë, me vendimin për statusin e vendit kandidat në dhjetor 2013, vihet re një ndryshim i marrëdhënieve në veprimet midis këtyre aktorëve kryesorë të Bashkimit Europian. Pas përmbushjes së kushtit të fundit për marrjen e rekomandimit, atë të votimit të tri ligjeve me shumicë të cilësuar në Kuvend, Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit të vendit kandidat. Dy muaj më vonë, shtetet anëtare, që marrin vendimin për çështjet e zgjerimit, vendosën të mos miratojnë statusin kandidat për Shqipërinë dhe të kërkojnë më shumë kohë. Në fillim Holanda, por më pas edhe shtete të tjera të rëndësishme, shfaqën dyshimet e tyre për këtë hap të Shqipërisë, duke e shtyrë këtë vendim për në qershor të vitit 2014. Kjo ngjarje përfaqëson më së miri edhe atë çka po ndodh në qeverisjen e brendshme të Bashkimit Europian. Politika e brendshme e vendeve anëtare dhe ndryshimi i prioriteteve ka ndikuar qëndrimet mbi procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet midis vetë institucioneve në Bruksel. Këto rrethana të reja përcaktojnë edhe një qasje të re të domosdoshme për vendet që synojnë anëtarësimin, si Shqipëria.

Së pari, duhet fuqizuar marrëdhënia me Komisionin Europian duke e konsideruar edhe më shumë si aleatin më të mirë që vendi mund të ketë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim. Komisioni gjendet në një situatë dobësie politike në këtë periudhë, për shkak se i duhet të përshtatet me humorin e vendeve anëtare edhe kur bën punën e tij të pavarur, analitike dhe vlerësuese. Për këtë arsye, bashkëpunimi i ngushtë dhe i rregullt me Komisionin do të ndihmonte në përgatitjen e strategjisë që duhet ndjekur në fazat e mëpasshme, duke qenë se ky institucion ka gjithë kapacitetet dhe mandatin për të zhvilluar një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë me vendet anëtare në kuadër të zgjerimit.

Së dyti, pavarësisht nevojës për një sinkronizim më të mirë me Komisionin Europian, zhvillimet e reja kërkojnë edhe një qasje të ndryshme në raport me vendet anëtare. Në zgjerimet e mëparshme, të viteve 2000, marrëdhënia kryesore e vendit ishte me Komisionin pasi atë çka rekomandonte Komisioni më pas e miratonin vendet anëtare (përveç ndonjë çështjeje të ndjeshme politikisht). Aktualisht, siç u shpjegua më lart, Komisioni e ka humbur këtë peshë specifike dhe vendet anëtare gjithmonë e më shumë orientohen nga interesat politikë kombëtarë (shpesh edhe afatshkurtër, si për shembull në raste periudhe parazgjedhore). Kjo situatë e re është përtej kontrollit të vendeve që synojnë anëtarësimin, por këto vende duhet që patjetër të ndryshojnë strategjinë, duke vënë theksin më shumë te marrëdhëniet dypalëshe me vendet e rëndësishme të Bashkimit Europian. Ambasadat e këtyre vendeve në Tiranë duhen përfshirë edhe më shumë në brendësi të procesit dhe diplomacia duhet të aktivizohet specifikisht në ato shqetësime që raportohen nga vende individuale. Ky angazhim me shumë nivele dhe shumë drejtime do të jetë një nga sfidat kryesore të procesit gjatë bisedimeve për anëtarësim.

Së treti, duhet një ‘fabul’ e re mbi rëndësinë e integrimit në ndërveprimin me vendet anëtare. Retorika politike ka rëndësinë e vet edhe në mjedisin ndërkombëtar e shumëpalësh, por pragmatizmi dhe afatshkurtësia që sundon në këtë kohë mendimin politik të udhëheqësve europianë kërkon një përgjigje që adreson sa më shumë ato shqetësime, ose të paktën nuk i rrit ato. Thirrjet europeiste të bazuara në idealizmin e etërve themelues të projektit europian nuk e përmbushin këtë mision. Duhen kuptuar specifikat e krizës së gjatë ku ka hyrë Europa dhe me përulje duhen konceptuar taktikat (e jo strategjitë) e qasjes me secilin problem e secilin vend. Natyrisht kjo vë në sprovë të konsiderueshme kapacitetet e vendit, nga pikëpamja politike, diplomatike e administrative. Por është e vetmja mënyrë se si mund të ndikohet zbutja e efektit të së famshmes ‘lodhje nga zgjerimi’ që ka prekur vendet e BE-së.

Dhe së fundi, por më e rëndësishmja, strategjia për bisedimet duhet të jetë konceptuar dhe detajuar përpara se Komisioni Europian të japë rekomandimin për hapjen e bisedimeve. Krahas faktit që kjo do të jepte një sinjal shumë pozitiv te vendet anëtare për seriozitetin dhe gatishmërinë e vendit për të hyrë në bisedime, qartësimi i kësaj strategjie do të mundësonte organizimin e shpejtë të strukturave dhe burimeve njerëzore të përshtatshme për të drejtuar këtë proces. Bisedimet për anëtarësim do të jenë faza më e vështirë por edhe më e rëndësishme e integrimit. Në ato vite do të ndodhë edhe ndryshimi i vërtetë i vendit dhe përpjekjet për arritjen e standardeve europiane do të jenë më përmbajtësore dhe më të qëndrueshme. Për këtë arsye, ka nevojë për një platformë të qartë se si do të zhvillohen e organizohen këto bisedime nga ana shqiptare, përfshirë këtu përcaktimin e roleve institucionale apo edhe jo institucionale.

Pavarësisht problemeve që po përjeton sot projekti i madh europian, axhenda e zgjerimit mbetet aktive dhe procesi vazhdon në të gjitha vendet e Ballkanit. Zgjerimi është pjesë përbërëse e vetë ekzistencës së këtij projekti dhe prandaj bllokimi i tij do të sillte bllokim të integrimit në tërësi. Shqipëria dhe vendet e Ballkanit nuk duhet të shkurajohen në këtë situatë e të preken nga “lodhja nga durimi”, por duhet të rikonceptojnë qasjen dhe sjelljen që kanë ndaj aktorëve europianë, duke u përshtatur me rrethanat e reja dhe duke i shfrytëzuar ato për të minimizuar impaktin e këtyre zhvillimeve në axhendën e tyre të integrimit dhe për të vazhduar përpara drejt anëtarësimit.

*Zëvendësministër i integrimit

Kriza e BE-së dhe integrimi europian i Ballkanit

Arben Malaj*

Shkrimi është pjesë e debateve mbi integrimin europian të vendit dhe mbi sfidat që has kjo përpjekje, në kohën kur një vend si Britania e Madhe voton të dalë nga BE. Shkrimi është marrë nga instituti shqiptar i medias.

“Nuk do të ketë paqe në Europë, në qoftë se shtetet do të rindërtohen në bazë të sovranitetit kombëtar. …Vendet e Europës janë shumë të vogla për t’iu garantuar popujve të tyre begatinë e nevojshme dhe zhvillimin social…”. (Jean Monnet)

Ky vizion i një prej themeluesve të BE-së, ka frymëzuar shumë nga reformat për thellimin dhe zgjerimin e integrimit europian që rezultuan të suksesshëm për të eliminuar konfliktet dhe luftërat në Europë, sukses i cili vazhdon të veprojë për më shumë se 70 vite. Gjatë këtij procesi vendet europiane kanë dorëzuar pjesë të sovranitetit të tyre kombëtar për t’u bërë pjesë e BE-së, e cila përfaqëson sot bllokun më të madh dhe ndër më të zhvilluarit në ekonominë globale. Por sfidat e BE-së nuk do të ishin të lehta, ajo është përballur me disa kriza të brendshme dhe aktualisht po kalon një krizë jo të lehtë ekonomike, sociale dhe politike.

Po sa ndikojnë krizat e BE-së në integrimin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit?

E shtruar pikërisht pas një periudhe të gjatë angazhimi dhe pritjeje të vendeve të Ballkanit për t’u bërë anëtare të BE-së dhe përballë risqeve në rritje të euroskeptikëve e radikalëve, kjo pyetje merr një fokus të veçantë në debatet publike dhe politike.

Lidershipi politik i BE-së është përfshirë shpesh në debatin lidhur me thellimin e integrimit dhe zgjerimin e BE-së. Lodhja nga zgjerimet, BE me dy shpejtësi, bllokimi i përkohshëm i zgjerimeve dhe fokusimi te thellimi i integrimit, janë debate që shpesh nxisin dhe ndikojnë në marrjen e vendimeve strategjike.

Kriza globale e vitit 2008 duket se i gjeti të papërgatitura institucionet e BE-së për të unifikuar politikat dhe ndërhyrjet e domosdoshme antikrizë. Kriza u bë më e thellë, kostot dhe pasojat e saj jo vetëm financiare u bënë më të rënda.

Euroskeptikët dhe radikalët filluan të merrnin më shumë terren në disa vende të BE-së duke e bërë më të vështirë harmonizimin e qëndrimeve dhe politikave të unifikuara.

Kriza globale që nisi në vitin 2008 vazhdon gjatë dhe aktualisht asaj iu mbivendos edhe kriza e emigrantëve, e cila ushqen qëndrimet populiste e radikale.

Euroskeptikët dhe radikalët pas zgjedhjeve parlamentare 2014 të BE-së, arritën të impononin ngrirjen e përkohshme të zgjerimeve të ardhshme, de facto bllokimin e anëtarësimeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2019.

Por këto zhvillime brenda BE-së duhen parë si një krizë e përkohshme, kohëzgjatja e së cilës nuk duhet të venitë, vonojë apo deformojë angazhimet tona për reformat strukturore, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, eliminimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, krijimin e një administrate sa më profesionale, plotësimin e kritereve të Copenhagenit por edhe kushtet specifike që BE-ja ka identifikuar për vendet tona.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në një moment historik, për të përdorur me efikasitet maksimal çdo mundësi për të rritur cilësinë dhe shpejtësinë e integrimit të tyre brenda rajonit dhe me BE-në. Koha që kemi në dispozicion nga bllokimi i zgjerimeve të ardhshme (edhe pse në çdo studim/prognozë nuk parashikohet anëtarësimi i vendeve tona në BE përpara vitit 2020), nuk duhet parë si një mundësi e humbur por si një mundësi konkrete për të thelluar reformat strukturore, për të rritur cilësinë e proceseve integruese, për të rritur përfitimet nga politikat dhe fondet e BE-së, duke u mirëpërgatitur për një konkurrencë në rritje në tregje gjithnjë e më të hapura dhe gjithnjë e më konkurruese.

Fakti që BE-ja po kalon një krizë të rëndë edhe institucionale, nuk e ka zbehur mbështetjen për anëtarësimin tonë në BE. Kjo konstatohet në të gjitha vendet që janë në pritje. Kjo tregon se ne nuk e kemi parë BE-në vetëm si një mundësi përfitimi nga fondet e tyre apo thjesht për lëvizjen e lirë, por si destinacion të natyrshëm dhe të përbashkët për rajonin tonë.

Rritja e forcave euroskeptike dhe avancimi i tyre edhe në terrene demokratike të konsoliduara, referendumi që pritet të mbahet në Britani në qershor të këtij viti mbi daljen apo jo nga BE-ja, kriza e refugjatëve të luftës përtej kontinentit por edhe atyre ekonomikë kryesisht nga rajoni i Ballkanit, bashkë me papunësinë e rritur të të rinjve dhe krizën ekonomike të zgjatur, nuk do të shpërbëjnë projektin e BE-së, i cili konsiderohet i paplotë pa anëtarësimin e rajonit tonë.

Kriza aktuale e BE-së duhet të konsiderohet një stacion i përkohshëm, ndërsa modeli i eliminimit të luftërave dhe konflikteve, modeli i arritjes së paqes dhe prosperitetit mbeten të përhershme, dhe si të tilla ato do të mbajnë të gjallë angazhimin e popujve tanë për të ardhmen e tyre europiane dhe do të krijojnë mbështetjen e nevojshme publike e politike për hapat e mëtejshëm integrues.

Historia e zgjerimeve të BE-së ka treguar që vendet të cilat i kanë përmbushur plotësisht dhe me rigorozitet të gjitha kriteret e anëtarësimit janë bërë anëtarë edhe në kohëra jo të mira për Bashkimin Europian. Anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013, sugjeruar edhe si modeli udhërrëfyes për integrimin e pjesës tjetër të Rajonit të Ballkanit, është realiteti bindës përballë euroskeptikëve.

Mbështetja e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor në : (i) miratimin e lëvizjes së lirë për të gjitha vendet e rajonit tonë; (ii) dhënien e statusit të vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën ; (iii) nisjen e negociatave me Malin e Zi, Serbinë dhe jo vonë edhe me Shqipërinë;(iv) angazhimin për gjetjen e një zgjidhje midis Maqedonisë dhe Greqisë ; (v) aksesin në instrumentet për asistencën e nevojshme para aderimit (fondet IPA) dhe (vi) mundësitë e shtuara për shkëmbimet edukuese dhe kulturore, frymëzon pozitivisht opinionin publik dhe imponon lidershipin politik të vendeve tona të bëjnë reformat e domosdoshme.

Edhe në kushtet e ngrirjes së procesit të anëtarësimeve të reja deri në vitin 2019, duket se një zgjidhje e mirë menduar është gjetur për të ndihmuar vendet tona të investojnë në infrastrukturën e zhvillimit. Konferenca e Berlinit dhe konferencat vjetore ne Paris dhe Vjenë midis BE-së dhe vendeve të rajonit tonë, duke u dhënë prioritet projekteve me impakt rajonal, po mbështesin integrimin e rajonit tonë. Filozofia e këtij procesi po nxit dhe lehtëson bashkëpunimin në nivel politik, redukton pengesat e të shkuarës jo shumë të largët, përshpejton, zgjeron dhe përmirëson bashkëpunimin ekonomik të rajonit duke investuar në projektet strategjike që integrojnë ekonomitë tona në korridoret europiane të zhvillimit. Kjo synon t’i bëjë ekonomitë e vendeve tona sa më vibrante dhe konkurruese, për të arritur rritje ekonomike më të larta, të qëndrueshme dhe inklusive, duke rritur të ardhurat për frymë dhe reduktuar rrënjët e problemeve dhe tensioneve sociale.

Nevoja për reforma sektoriale dhe bashkëpunime në fushën e transportit dhe energjisë, bashkë me Politika Ekonomike që kanë në fokus mjedisin e favorshëm të biznesit dhe integrimin tregtar, sjellin rritje të konkurrencës, punësimit dhe rritje ekonomike afatgjatë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke bërë së bashku më shumë për sundimin e ligjit, qeverisjen ekonomike, reformën e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit fetar si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njerëzve, kontribuohet që të rritet stabiliteti dhe prosperiteti në çdo vend të rajonit.

E mbështetur edhe me procesin e integrimit europian, zhvillimi është zgjidhja më e mirë dhe e qëndrueshme që vendet tona të mos jenë më vende origjine të emigranteve ekonomikë, por vende origjine të paqes dhe prosperitetit, duke reduktuar konfliktet, papunësinë dhe varfërinë, të cilat ushqejnë flukset e emigrantëve.

BE vazhdon të mbetet frymëzuese dhe konsiderohet prioritet kombëtar për çdo vend dhe për rajonin në tërësi. Kjo lehtëson thellimin e integrimit rajonal dhe eliminimin e barrierave për një integrim real në politikat dhe strukturat e BE-së.

BE, edhe pse mbylli përkohësisht derën e anëtarësimit, ofroi për vendet e Ballkanit Perëndimor elementë konkretë të thellimit të katër lirive kryesore, në veçanti lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe njëkohësisht nxiti kalimin në faza të mëtejshme të thellimit të integrimit, ku dallohen dhënia e statusit të vendit kandidat dhe nisjen e negociatave me disa prej tyre.

Fakti që vende të ndryshme të rajonit janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit europian, duhet konsideruar si një mundësi për të ecur më shpejt për vendet që janë më pas. Bazuar në opsionin që ne mund të integrohemi si rajon, çdo vend duhet të lehtësojë edhe sfidat e vendeve të tjera në bashkëpunimin rajonal. Ngrirja e përkohshme të zgjerimeve të ardhshme duhet përdorur për të plotësuar kriteret e Kopenhagenit dhe kryer reformat e rëndësishme strukturore, kështu ne mund të shmangim çdo vonesë në të ardhmen.

Duke mbajtur parasysh se rajoni ynë e ka arritur vonë paqen, shfaqen sfida jo të vogla lidhur me prosperitetin, i cili është i pamundur pa paqen, por njëkohësisht, paqja është e paqëndrueshme pa prosperitetin. Kjo është kritike sidomos në situatën që po kalojmë, ku rënia e ritmeve të rritjes ekonomike, rritja e papunësisë, sidomos ajo e të rinjve dhe thellimi i pabarazisë, kanë krijuar premisa për populistët dhe radikalët.

Përballë krizës, BE po fokusohet më shumë në procesin e thellimit të integrimit. Përfitimet nga thellimi i integrimit reduktojnë krizat potenciale dhe lehtësojnë zgjerimet e ardhshme të saj. BE-ja mund ta përballojë më mirë rritjen e euroskeptikëve dhe ekstremistëve duke rritur bashkëpunimin me faktorët proeuropianë në vendet tona, se sa duke e spostuar dhe vonuar integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Krizat e BE –së në asnjë rast nuk mund të shërbejë si alibi për mos bërjen e reformave të duhura që janë parakushte për anëtarësim në BE. “Në kohë krize ne na duhet më shumë dhe jo më pak integrim”  – ky ishte mesazhi i ish-ministrit të jashtëm gjerman Joschka Fischer në debatin e krijuar për përballjen me krizën globale 2008. Ky mesazh vlen edhe për vendet tona, jo vetëm për situatën aktuale por sidomos për cilësinë e proceseve integruese.

Anëtarësimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimore në BE mund të pengohet më shumë nga krizat e brendshme dhe ato midis vendeve të veçanta të rajonit tonë, se sa nga krizat e BE-së. Rruga më e mirë drejt BE-së për çdo vend dhe rajonin në tërësi është mirëqeverisja, reduktimi i rrënjëve të varfërisë dhe pabarazisë, reduktimi i populizmit, autoritarizmit dhe eliminimi i faktorëve që ushqejnë rritjen e euroskeptikëve, radikalëve dhe ekstremistëve.

*ish-ministër i Financave

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*